Kisha e Shirqit është pjesë e kuvendit benediktin të shenjtërve me të njëjtin emër. Kisha ndodhet rreth 9 km larg Shkodrës dhe 20 km larg grykëderdhjes së lumit Buna. Ka kohë që ekzistenca e saj rrezikohet nga ujërat e lumit Buna që vijojnë të gërryejnë brigjet ku ajo është vendosur. Bazuar në dokumente të ndryshme, kuvendi dhe kisha i takojnë shek. XII.
Megjithëse nga kjo kishë kanë ngelur disa fragmente, ato janë të mjaftueshme edhe për të përcaktuar datën dhe ndërtuesit e kishës. Interpretimi i dy shkrimeve të Helenës dhe Milutinit lënë për të kuptuar se kisha kishte filluar të ndërtohej nga Helena dhe të bijtë në vitin 1290 dhe kishte përfunduar po nga ata në vitin 1318. Por supozohet se Helena pati bërë një rikonstruksion/ rindërtim të një kishe paraekzistuese, e cila është e besueshme t’i ketë përkitur kohës së Justinianit, kur kulti i Sergjit dhe Bakut martirë u përhap në Siri, Arabi, Irak, Kostandinopojë, Peloponez, Maqedoni etj.

Kisha e vendosur pranë portit dhe doganës së Shirqit sipas Imzot Martin Bicit “ishte një strukturë e madhnueshme, në gjendje me mbajtë 3000 vetë dhe e stolisun me piktura shejtnish, të cilëve turqit u kishin nxjerrë sytë”. Përmasat e saja sipas Arqipeshkëvit të Tivarit V. Zmajeviç ishin, “24 hapa e gjatë dhe 12 e gjanë… e shtruar me mermerë delikatë dhe e pikturuar me fresco simbas mënyrës së vjetër”.

Arkitektura e kishës ishte tepër e veçantë. Është një përzierje e stilit roman me atë gotik. Sipas historianëve, Kisha e Shirqit ka ruajtur formën e plotë të saj deri para 200 viteve. Që nga ajo kohë, ajo është shkatërruar gradualisht. Shkatërrimi i plotë i saj konsiderohet të jetë bërë dy dekadat e fundit, pasi shteti nuk vuri dorë mbi të. Nga kisha e njohur e Shirqit ka mbetur shumë pak, një fasadë muri. Specialistët i quajnë “nefi jugor dhe një pilastër guri”. Më herët se kjo kohë, kisha ka patur edhe një fasadë tjetër muri dhe një shtyllë, të cilat i ka shkërmoqur erozioni së bashku me varret që gjendeshin aty. Fasada e murit të mbetur është e bërë me gurë të latuar dhe me disa rreshta tullash të holla. Harqet janë tepër të veçanta.

Pjesa e ruajtur ka një ndërtim interesant, jo të zakonshëm për syrin e njeriut. Ajo përbëhet nga mure të ndërtuara me gurë dhe tulla, me të cilët sipas specialistëve të arkitekturës së Shkodrës janë ndërtuar dy harqe të verbëra. Muri në mes të harqeve është ndërtuar me 6 radhë gurësh dhe tulla të alternuara. Ky lloj ndërtimi është i veçantë dhe mund të arsyetosh për kohën e madje edhe për rikonstruksionet që i janë bërë Kishës së Shirqit.

Në gjuhën e specialistëve, këtu dalin në plan të parë ato që quhen mite. Mitja e parë nga perëndimi ka një dritare të lartë, e punuar sipas stilit arkaik romak gotik të bregdetit të Adriatikut, me harqe të mprehta dhe me shpatulla të brendshme dhe të jashtme. Muri perëndimor përfundon në frontal me 4 pilastra, dy në mes e dy në qoshe. Pjesët anësore të murit janë të përbëra me harqe të mprehta. Në anën jugore ndodhej një këmbanore. Zakonisht në kohët e nxehta këtu bëhen ritet e Shën Premtes.
