Mbrëmjen e së premtes, Kinema “Republika” në Shkodër mirëpriti premierën e dokumentarit “Zyliha Miloti, aktorja e 1000 roleve”, për jetën dhe karrierën e një prej figurave më emblematike të skenës shqiptare. Dokumentari i prodhuar nga RTSH, me skenar të Klodiana Shpendit dhe regji të Arian Çuliqit, u prit me entuziazëm nga publiku shkodran, i cili e mbushi sallën plot në këtë ngjarje të veçantë kulturore.

Në këtë mbrëmje u bënë pjesë artistë të njohur, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qytetarë, të cilët nderuan kontributin e jashtëzakonshëm të aktores Zyliha Miloti, e cila ka dhuruar mbi 65 vite përkushtim ndaj artit skenik dhe ekranit.

Përgjatë dokumentarit, publiku u përfshi në një udhëtim emocional mes roleve të shumta të artistes në skenë dhe kinematografi. Dokumentari “Zyliha Miloti, aktorja e 1000 roleve” vjen si një dëshmi e gjallë e kontributit prej një jete të artistes në shërbim të humorit, teatrit dhe kulturës shqiptare.