Shkodra ka qenë ndalesa e parë e turit festiv “Vala Fest”, që për dy ditë me radhë solli atmosferë të gjallë në sheshin para Bashkisë, duke e kthyer këtë hapësirë në një park festiv për të gjitha moshat. Nën ritmet e DJ-ve të njohur dhe performancave live, qytetarët shijuan jo vetëm muzikën, por edhe një mori aktivitetesh të kuruara në detaje.
Për organizatoren e këtij eventi, znj. Lida Sinani nga agjencia BEA Promotion, Shkodra është nisja e një turi që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, me synimin për të promovuar jo vetëm argëtimin, por edhe vlerat turistike të çdo qyteti ku do të ndalet.
“Ky është një projekt që përveçse sjell festa dhe muzikë, ka në thelb nxitjen e turizmit vendor dhe prezantimin e produkteve shqiptare,” – u shpreh Sinani.
Festivali ofroi hapësira për argëtim të fëmijëve, stenda të bizneseve vendase që promovuan produktet e tyre, si dhe skenën kryesore të performancave muzikore.
“Vala Fest” organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Bashkisë Shkodër, si pjesë e turit veror festiv që do të vijojë në qytete të tjera të Shqipërisë gjatë gjithë sezonit të verës.
Një fillim entuziast në Shkodër që premton një verë plot ritëm dhe ngjyra në çdo cep të vendit.
