Liqeni i Shkodrës është renditur ndër destinacionet më të mira për pushimet verore nga prestigjiozja britanike The Telegraph, në një artikull të publikuar së fundmi nga gazetarja Elise Morton, e cila evidenton bukurinë natyrore dhe vlerat kulturore të Evropës Lindore.
Në listën prej 10 destinacionesh bregdetare që The Telegraph sugjeron për pushuesit që duan të shmangin turmat dhe destinacionet klishe, Shqipëria zë një vend të veçantë me plot katër destinacione, përfshirë Ishujt e Ksamilit, Dhërmiun, Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Shkodrës.
Liqeni i Shkodrës vihet në qendër të vëmendjes si një alternativë e qetë, natyrore dhe autentike për të gjithë ata që kërkojnë pushime larg zhurmës, duke ofruar një përzierje të bukur të relaksit, sporteve ujore dhe historisë.
Artikulli sugjeron që vizitorët të shijojnë aktivitete si kajaku, degustimi i verës dhe vëzhgimi i zogjve, ndërsa përmend edhe potencialin e zonës për një turizëm natyror dhe kulturor.
Renditja vjen si një tjetër konfirmim i rritjes së imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik në arenën ndërkombëtare. Shkodra dhe rrethinat e saj, me liqenin si pikë referimi, ofrojnë jo vetëm peizazh të mrekullueshëm, por edhe trashëgimi historike dhe kulturore të çmuar.
Shkodra po forcohet gjithnjë e më shumë si një nga pikëndalesat më tërheqëse për turizmin natyror dhe të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.
