Shkodra u shndërrua këtë fundjavë në një qendër frymëzimi për artin pamor, përmes aktivitetit “Artistët për artistët”, ku marrin pjesë 20 piktorë nga të gjitha trevat shqiptare. Pavarësisht temperaturave të larta të ditëve të fundit, energjia krijuese nuk është ndalur, pasi vetë qyteti dhe peizazhi i tij ofrojnë një burim të pashtershëm inspirimi.
Piktorja Anila Hetoja ka gjetur frymëzimin e saj pranë liqenit të Shkodrës, duke realizuar një siluetë gruaje që dialogon me qetësinë e ujërave. Nga ana tjetër, Linda Lupi i është rikthyer legjendës së Rozafës për të përcjellë një mesazh përmes veprës së saj, duke ndërthurur mitin me artin.
Shqipërim Fejzullahu, i ardhur nga Lugina e Preshevës, tregon se artin nuk e pengojnë kufijtë. Punimet e realizuara nga artistët u ekspozuan në zonën muzeale të qytetit, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe vizitorëve.
