Në Dejën e lashtë, nën tingujt e muzikës, ekspozimit të gjithçkaje të bukur që kjo zonë mban e trashëgon u çel zyrtarisht sezoni turistik veror nga Bashkia Vau Dejës. Oborri i Kishës së Shën Mërisë u kthye në epiqendër të gjallërisë kulturore dhe festive me organizimin e “Panairit të Verës”.

Panairi solli një ekspozim të gjerë të produkteve vendase, kulinarisë tradicionale, krijimtarisë artizanale, si dhe trashëgimisë kulturore e turistike të zonës. 

Ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë mbrëmje ishte programi artistik i pasur, kulmuar me shfaqjen “Dasma e Gjergj Kastriotit me Donika Aranitin”, një inskenim simbolik i një momenti historik të rëndësishëm për identitetin kombëtar.

Mbrëmja u shoqërua me muzikë live dhe një kokteil veror, duke krijuar një atmosferë plot gjallëri me këngë, valle dhe shije tipike të verës.