“Takim me autoren Armenida Qyqja” ishte titulli i aktivitetit të zhvilluar në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër. Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me krijimtarinë poetike dhe prozën e autores, në një atmosferë të ngrohtë dhe komunikimi të hapur.

Shkrimtarja Armenida Qyqja, me origjinë nga Tirana dhe prej vitesh rezidente në Kanada, ka krijuar një profil të veçantë në letërsinë shqipe bashkëkohore. Ndjenja e dashurisë, humanizmi dhe reflektimi mbi përditshmërinë janë disa nga temat që frymojnë në çdo varg dhe paragraf të saj.

Një nga vëllimet e saj poetike, tashmë i përkthyer në gjuhën angleze, është përfshirë në listën e Bibliotekës së Harvardit, një arritje domethënëse që vërteton vlerën universale të krijimtarisë së saj.

Përmes këtij takimi, Biblioteka “Marin Barleti” vijon të ruajë rolin e saj si një hapësirë e gjallë e dialogut kulturor dhe promovimit të autorëve që ndikojnë në pasurimin shpirtëror të lexuesve.