Aktivitetet dedikuar filmit në kuadër të festivalit “Ekrani i Artit” u përmbyllën me ceremoninë e zhvilluar në Kinema “Republika”, aty ku nisi pak ditë më parë. Shfaqjes së filmit i parapriu një atmosferë e këndshme, e përbërë nga një publik i përzier mes vendasve dhe të huajve.
Për drejtoren artistike, Tea Paci, rrugëtimi i këtij edicioni ishte i suksesshëm. Veç filmave të shfaqur, festivali shërbeu edhe si urë lidhëse mes artistëve dhe qytetarëve duke sjellë një frymë pozitive.
Organizatorët falenderuan çdonjërin nga pjesëmarrësit që dhanë kontribut në mbarëvatjen e festivalit. Ceremonia përmbyllëse u pasua nga shfaqja e filmit “Temo Re” e regjisores Anka Gujabidze.
Imazhe të lëvizsshme, reflektime të thella dhe takime publike në hapësira që ndërthurin historinë me bashkëkohoren ishte ajo çfarë përjetoi Shkodra përgjatë ditëve të festivalit “Ekrani i Artit”. “Kartolina nga tjetërkund” ishte tema e këtij viti. Edicioni i tetë solli në Shkodër mbi 30 artistë dhe u shfaqën 40 premiera.
