Një ndër projektet më të shumëpritura për qytetin e Shkodrës ka hyrë zyrtarisht në fazën e zbatimit: Muzeu i Vllaznisë nuk është më një ide në letër, por një realitet në nisje.
Premtuar që në ditët e para të marrjes së mandatit nga kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, ky projekt po merr formë si një hapësirë e munguar për historinë dhe lavdinë e klubit legjendar të qytetit.
Pikënisja u shënua me një takim konsultativ të zhvilluar nga nënkryetari i Bashkisë, z. Rudin Beka, me praninë e figurave të njohura të sportit dhe gazetarisë shkodrane. Këto personalitete do të jenë pjesë e një grupi pune që synon të ndërtojë një muze dinjitoz, përfaqësues dhe edukues, ku do të ruhen momentet më të ndritura të Vllaznisë në të gjitha disiplinat sportive.
Me një histori mbi 100-vjeçare, Vllaznia është më shumë se një klub, është identitet, krenari dhe trashëgimi për breza të tërë. Muzeu pritet të jetë një pikë referimi kulturore dhe sportive për qytetarët, të rinjtë dhe vizitorët që duan të njihen me kontributin e Shkodrës në sportin shqiptar.
Shkodra, djepi i sportit, do të ketë më në fund shtëpinë e kujtesës për krenarinë kuqeblu!






