Ekspozitat zënë një hapësirë të rëndësishme në programin e festivalit të filmit “Ekrani i Artit”. Njëra prej tyre, e instaluar në Galerinë e Arteve të Shkodrës, shpalos për vizitorët, një vështrim rreth historisë së zhvillimit të videoartit në Shqipëri që nga viti ‘90. Nën emërtimin “Rimbledhje”, ekspozita vjen e kuruar nga artisti Edi Muka.
Në mjediset e “Art House” u çelën për vizitorët edhe dy ekspozita të tjera. Barbara Prenka nga Kosova ka në fokus në ekspozitën e kuruar nga Zef Paci, mbulesën e krevatit, si një objekt që e lidhim sa me nostalgjinë aq edhe me transformimin dhe të ardhmen.
“Si doli emni prej gurit” është ekspozita e ndjerë mbi kujtesën, imagjinatën dhe përkatësinë. E koordinuar nga Melisa Paci, ajo vjen në bashkëpunim me artisten Bora Baboçi dhe përbëhet nga punimet e nxënësve të shkollave “Ismail Qemali” dhe “Ndre Mjeda” të Shkodrës.
Festivali “Ekrani i Artit” shënon edicionin e tetë këtë vit dhe programi i tij paraqitet i larmishëm në pesë ditët e zhvillimit të tij.
