Në Qendrën Komunitare “Xixenjollanjat” ka nisur edicioni i dytë i kampit veror “T’i buzëqeshim verës”, një nismë e ndërmarrë nga Bashkia Shkodër për të sjellë një verë ndryshe për fëmijët e komunitetit. Rreth 150 fëmijë të moshës 6 deri në 14 vjeç janë përfshirë në këtë aktivitet i cili do të zgjasë dy javë dhe do të zhvillohet në dy pika: në Qendrën Komunitare “Xixenjollanjat” dhe në ambientet e shkollës “Dëshmorët e Prishtinës”.

Kampi ofron një gamë të gjerë aktivitetesh si: lojëra të organizuara, punëtori kreative, ushtrime zhvilluese dhe aktivitete edukative që stimulojnë bashkëpunimin, vetëbesimin dhe zhvillimin personal të fëmijëve.

Julia Cepi, specialiste pranë njësisë së mbrojtjes së fëmijëve, theksoi se: “Një plan i detajuar i aktiviteteve ditore dhe javore është hartuar nga stafi i shërbimit social, për t’u sjellë sa më shumë argëtim dhe përfitim fëmijëve pjesëmarrës.”

Vetë fëmijët shprehen të entuziazmuar për mundësinë që ky kamp i ofron, jo vetëm për t’u argëtuar, por edhe për t’u socializuar dhe për të krijuar miq të rinj. Kampi veror “T’i buzëqeshim verës” mbetet një hapësirë pozitive dhe e sigurt, që synon të mbështesë rritjen e shëndetshme dhe të gëzueshme të fëmijëve në Shkodër.