Në brigjet piktoreske të liqenit të Shkodrës ka nisur sot edicioni i radhës i “Festa e Liqenit”, një aktivitet që për tri ditë me radhë (19, 20 dhe 21 qershor) do të ndërthurë trashëgiminë kulturore me natyrën, muzikën dhe argëtimin, duke e kthyer zonën e Shirokës në një qendër të vërtetë festive.
Veprimtaritë do të zhvillohen përgjatë sheshit të Shirokës dhe do të përfshijnë: Panairë me produkte vendase Aktivitete sportive dhe rekreative Ekspozita kulturore Koncerte të hapura për publikun
Drejtori i Turizmit në Bashkinë Shkodër, Renato Lumçi, në një prononcim për mediat, u shpreh: “Për tre ditë me radhë ky aktivitet kthen vëmendjen nga zona e Shirokës dhe liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan. Për Shkodrën ai është një potencial i jashtëzakonshëm turistik dhe çdo vit e më tepër po merr vëmendjen, jo vetëm të investimeve të Bashkisë dhe Qeverisë, por edhe të turistëve të shumtë që e vizitojnë këtë atraksion natyror.”

“Festa e Liqenit” synon jo vetëm të promovojë bukuritë natyrore dhe vlerat lokale të Shkodrës, por edhe të krijojë një klimë të re sociale dhe ekonomike për komunitetin, duke nxitur turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin vendor.
