Presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, Alban Xhaferi, ka reaguar me tone të forta pas lajmit se skuadra shkodrane nuk do ta zhvillojë në “Loro Boriçi” ndeshjen e saj të parë në Ligën e Konferencës.
Në një deklaratë të shpërndarë për publikun, Xhaferi e cilëson situatën si një “realitet të dhimbshëm”, pasi për herë të parë në 106 vite histori, Vllaznia nuk do të luajë një ndeshje ndërkombëtare në qytetin e saj.
“Kjo është një plagë për sportin, për qytetin dhe për të gjithë ata që ndihen pjesë e kësaj historie,” – shkruan ai, duke njoftuar se ndeshja do të zhvendoset në stadiumin “Elbasan Arena”, si pasojë e pamundësisë për të përdorur stadiumin shkodran.
Presidenti i Vllaznisë fajëson një vendim të njëanshëm dhe të pashpjegueshëm të Bashkisë Shkodër, e cila sipas tij, ka vendosur të organizojë koncert në “Loro Boriçi”, duke shpërfillur marrëveshjet zyrtare me klubin dhe institucionet e futbollit.
“KF Vllaznia është udhëhequr në këtë situatë nga një parim i vetëm: të mbrojë dinjitetin e klubit dhe të mos lejojë që për hir të eventeve të përkohshme të cenohet emri dhe serioziteti i tij në arenën ndërkombëtare,” – shprehet Xhaferi.
Ai e përmbyll deklaratën me një thirrje për unitet dhe mbështetje ndaj skuadrës, duke ftuar tifozët të udhëtojnë në Elbasan dhe të qëndrojnë pranë Vllaznisë në këtë sfidë europiane:
“Ne do të luajmë në Elbasan, por me zemrën në Shkodër. Ejani të gjithë bashkë, me zërin dhe ngjyrat kuqeblu, që të tregojmë qytetari dhe ta mbështesim djemtë tanë si asnjëherë tjetër.”
Deklarata e Presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi
🟥🔵 Të dashur tifozë të Vllaznisë dhe qytetarë të Shkodrës,
Sot jemi përballë një realitet të dhimbshëm:
KF Vllaznia, për herë të parë në historinë e saj 106-vjeçare, nuk do ta zhvillojë në Shkodër ndeshjen ndërkombëtare për Kupat e Europës.
Kjo është një plagë për sportin, për qytetin dhe për të gjithë ata që ndihen pjesë e kësaj historie.
Mbas komunikimeve të pandërprera me FSHF dhe UEFA kanë sugjeruar që në këtë situatë nuk kemi zgjidhje tjetër vetëm se të luajme në një stadium tjetër të liçensuar .
Jemi detyruar ta zhvendosim ndeshjen në Elbasan Arena, për shkak të një vendimi të njëanshëm dhe të pashpjegueshëm të Bashkisë Shkodër, e cila ka vendosur që të zhvillojë koncert në stadiumin "Loro Boriçi", duke shpërfillur çdo marrëveshje zyrtare , duke injoruar plotësisht klubin, insitucionet zyrtare te futbollit Shqiptar, çdo paralajmërim dhe mbi të gjitha, duke injoruar interesin e qytetit.
KF Vllaznia është udhëhequr në këtë situatë nga një parim i vetëm: të mbrojë dinjitetin e klubit dhe të mos lejojë që për hir të eventeve të përkohshme të cenohet emri dhe serioziteti i tij në arenën ndërkombëtare.
E them me bindje: ky nuk është vendim përçarës, por vendim i pjekur, i matur dhe i drejtë.
Jam i bindur që çdo autoritet që ndjek me kujdes zhvillimet në vend, do ta kuptojë qartë ku qëndron përgjegjësia.
---
🔴🔵 TIFOZË TË VLLAZNISË – KOHA PËR T’U BËRË NJË!
Ne do të luajmë në Elbasan, por me zemrën në Shkodër.
Ejani të gjithë bashkë, me zërin dhe ngjyrat kuqeblu, që të tregojmë qytetari dhe ta mbështesim djemtë tone ❤️💙 si asnjeherë tjetër në rrugetimin tonë Europian
Vllaznia është krenaria jonë dhe nuk përkulet para askujt!
#Vllaznia106 #ZemraEShkodres #HistoriaNukShkruhetMeKoncerte #ElbasanNaPret #BashkëPërDinjtetin
