Shkodra do të përjetojë një natë të paharrueshme më 21 qershor, kur “Nderi i Kombit” i këngës qytetare, Bujar Qamili, do të ngjitet në skenën e stadiumit “Loro Boriçi” për recitalin e tij të parë në këtë hapësirë madhështore. Kjo ngjarje është e para e këtij lloji në stadium dhe pritet të jetë një ndër kulmet kulturore të sezonit veror në qytet.

Në një konferencë për shtyp, Bujar Qamili falënderoi publikisht Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, për mbështetjen e pakushtëzuar në realizimin e këtij koncerti unik. “Pa këtë mbështetje nuk do të mund të realizonim një projekt të këtij niveli,” theksoi Qamili, ndërsa zbuloi se në koncert do të marrin pjesë edhe emra të njohur të muzikës shqiptare si Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi dhe Mateus Frroku.

Pavarësisht atmosferës festive, aktiviteti u shoqërua në nisje me një incident të pakëndshëm: disa përfaqësues të Klubit të Futbollit Vllaznia tentuan të pengonin promovimin e koncertit duke hequr banerat përreth stadiumit. Ky veprim u denoncua nga vetë artisti, i cili deklaroi se koncerti është planifikuar me kohë dhe është në përputhje të plotë me procedurat ligjore.

Në mbështetje të artistit reagoi edhe Sara Smaja, Drejtoreshë e Kulturës në Bashkinë Shkodër, e cila e cilësoi koncertin si një dhuratë për gjithë qytetin dhe një moment krenarie për Shkodrën.

“Qejfi bahet me Shkodranë” pritet të shndërrohet në një festë të madhe qytetare, ku muzika, emocionet dhe trashëgimia kulturore e Shkodrës do të gërshetohen në një skenë të vetme përballë mijëra spektatorëve.