Klubi i Futbollit Vllaznia ka ngritur sot alarmin për një situatë të paprecedentë, që mund të detyrojë ekipin të mos zhvillojë ndeshjet ndërkombëtare për Kupat e Europës në stadiumin “Loro Boriçi”, për herë të parë në historinë e tij.
Përmes një deklarate për media, klubi ka denoncuar një vendimmarrje të njëanshme dhe të pa konsultuar, që sipas tyre ka ndryshuar në mënyrë të paligjshme destinacionin e stadiumit, duke injoruar paralajmërimet e bëra nga vetë klubi dhe Federata Shqiptare e Futbollit.
“Ky vendim rrezikon jo vetëm pjesëmarrjen në Europë, por cënon edhe imazhin e qytetit dhe futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare,” – thuhet në deklaratë.
Në këtë kuadër, është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen e futbollistëve, stafit teknik dhe drejtuesve të klubit, ku është shprehur hapur indinjata për situatën e krijuar. Klubi thekson se koncerti recital i parashikuar në këtë impiant ka vënë në diskutim gatishmërinë e fushës për përballjet europiane, për shkak të mungesës së koordinimit institucional dhe shkeljes së rregullave të UEFA-s.
Pavarësisht kësaj situate, KF Vllaznia deklaron se mbetet e hapur për dialog me të gjitha institucionet, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë, në funksion të interesit publik dhe të sportit.
“KF Vllaznia është më shumë se një klub – është identiteti i qytetit dhe krenaria e një historie të gjatë,” – përfundon deklarata.
Ky tension vjen vetëm pak ditë para organizimit të koncertit të Nderit të Kombit, Bujar Qamili, në të njëjtin stadium, dhe ndan më tej qëndrimet mes institucioneve të qytetit për mënyrën e administrimit të hapësirave publike me destinacion sportiv.
