Në skenën e Teatrit “Migjeni” u zhvillua nata finale e edicionit të 24-të të konkursit ndërkombëtar të muzikës klasike “Çmimi Pjetër Gaci”, një aktivitet i rëndësishëm që mbledh talente të rinj nga Shqipëria, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.
Në këtë mbrëmje gala interpretuan 21 finalistët në zhanre të ndryshme si piano, violinë, kanto, flaut, trombon dhe kitarë, duke dhuruar emocione dhe performanca me nivel të lartë artistik. Juria vlerësoi me çmimin e parë Gabriel Darragjatin në piano, çmimi i dytë shkoi për Krisa Gjikën në kanto ndërsa çmimin e tretë e fitoi Sibora Resyli në violinë.
“Jam shumë i lumtur dhe nuk e kisha menduar se do të vlerësohesha me çmimin e parë. Ndihem falenderues të gjithë atyre që më përkrahën e në mënyrë të veçantë mësuesit tim dhe padyshim nënës sime,” ishin fjalët e para pas suksesit të Gabriel Darragjatit.
Drejtori artistik i konkursit, Lorenc Radovani, në përfundim u shpreh mirënjohës për mbështetjen e eventit. Ndërsa kompozitori Senad Gaçeviç, anëtar i jurisë, theksoi nivelin artistik të pjesëmarrësve.
“Mund të them se ishte një festival shumë serioz dhe i organizuar në mënyrë perfekte. Juria ka patur fatin të punojë në kushtet e një atmosfere shumë të mirë shoqërore dhe profesionale. Vendimet nuk kanë qenë të lehta për shkak të nivelit artistik por gjithsesi ishin unanime. Dua të falenderoj organizatorët për mikpritjen e ofruar,” shprehet kompozitori i mirënjohur në Malin e Zi dhe pjesë e trupës së jurisë, Senad Gaçeviç.
“Çmimi Pjetër Gaci” në Shkodër vijon të mbetet një nga platformat më prestigjioze për afirmimin e talenteve të reja dhe promovimin e artit klasik në vend.
