Bashkia Shkodër ka reaguar zyrtarisht pas debatit të krijuar në opinionin publik lidhur me koncertin e këngëtarit të njohur Bujar Qamili dhe deklaratat e dala nga Klubi i Futbollit Vllaznia dhe presidenti i tij, Alban Xhaferi.

Në një komunikatë për mediat, institucioni vendor sqaron se koncerti i datës 21 qershor në stadiumin “Loro Boriçi” është një veprimtari zyrtare e Bashkisë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës, dhe nuk cënon asnjë nga parametrat sportivë apo logjistikë të impiantit.

“Skena do të vendoset në pistën e stadiumit, pa prekur fushën e lojës apo ndonjë infrastrukturë tjetër. Stadiumi është aset publik në administrim të Bashkisë dhe do të përdoret për qëllime kulturore, pa ndryshim destinacioni”, thuhet në deklaratë.

Bashkia bën me dije se gjatë përgatitjeve nuk ka pasur asnjë ofendim apo cënim ndaj palëve të treta, por përkundrazi është përballur me sjellje të papërshtatshme nga ana e presidentit të Vllaznisë dhe të tjerë persona që e shoqëronin, për të cilat i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese.

Më tej, Bashkia hedh poshtë çdo insinuatë se koncerti mund të përbëjë problem për licensimin apo standardet e UEFA-s, duke e cilësuar një abuzim publik të pavërtetë.

“KF Vllaznia ftohet të shmangë deklarata që mund të krijojnë tension apo keqkuptim te tifozeria shkodrane”, thuhet në reagim.

Në përfundim, Bashkia rithekson se Shkodra dhe Vllaznia janë një, dhe se mbështetjen për skuadrën e zemrës e shoqëron me promovimin e vlerave kulturore të qytetit – siç është rasti i recitalit të Bujar Qamilit, “Nder i Kombit”.

Koncerti do të mbahet më 21 qershor në stadiumin “Loro Boriçi”, dhe ftohen të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë festë muzikore që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Muzikës.

Deklarata e plotë e Bashkisë Shkodër

Të nderuar qytetarë të Shkodrës, sportdashës të Vllaznisë, brenda dhe jashtë qytetit,

Nëpërmjet mediave jeni njohur me një situatë të paprecedentë dhe të pazakontë për Shkodrën e kulturës dhe të sportit.
Konferenca për shtyp e Mjeshtrit të Madh, Bujar Qamili, një nga figurat më të çmuara të qytetit dhe të muzikës shqiptare, është shoqëruar me reagime publike nga Klubi i Futbollit Vllaznia dhe presidenti i tij, z. Alban Xhaferi.

Për këtë arsye, dëshirojmë të informojmë opinionin publik qartë dhe me transparencë:
• Koncerti i këngëtarit Bujar Qamili, “Nder i Kombit”, nuk cënon në asnjë moment logjistikën e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili është aset dhe administrohet nga Bashkia Shkodër. Skena do të vendoset në pjesën e pistës së stadiumit, pa prekur fushën e lojës apo infrastrukturën sportive.
• Koncerti i datës 21 qershor është një veprimtari zyrtare e Bashkisë Shkodër, që zhvillohet në asetet e saj, pa asnjë ndryshim destinacioni.
• Përfaqësuesit e Bashkisë dhe të strukturave të kulturës nuk kanë cenuar apo ofenduar askënd. Përkundrazi, janë përballur me sjellje të papërshtatshme nga z. Alban Xhaferi dhe persona që e shoqëronin atë – për të cilat Bashkia i është drejtuar organeve kompetente.

Për më tepër, sqarojmë se aktiviteti i datës 21 qershor nuk cënon në asnjë mënyrë licensimin apo kushtet e UEFA-s, siç është pretenduar apo abuzuar publikisht.

KF Vllaznia ftohet të shmangë deklarata që mund të krijojnë tension apo keqkuptim te tifozeria shkodrane

Shkodra dhe Vllaznia janë një!
Në këtë frymë, Bashkia Shkodër mbështet fuqishëm ngjyrat kuqeblu, simbol i krenarisë sonë qytetare, dhe njëkohësisht promovon kulturën si një tjetër pasuri e identitetit shkodran.

Ftojmë të gjithë shkodranët dhe jo vetëm që të jenë të pranishëm më 21 qershor, në stadiumin “Loro Boriçi”, për të festuar së bashku me Bujar Qamilin në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës – në një mbrëmje që do t’i përkasë zemrës së Shkodrës.