Drejtori i Sportit në Bashkinë Shkodër, Auron Miloti, ka reaguar publikisht pas deklaratave të presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi, në lidhje me organizimin e koncertit recital të Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Bujar Qamili, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në reagimin e tij, Miloti ka përgënjeshtruar pretendimet për mungesë komunikimi, duke theksuar se të gjitha strukturat përgjegjëse janë vënë në dijeni në kohë për këtë aktivitet, përfshirë përgjegjësin e mirëmbajtjes së stadiumit dhe vetë presidentin Xhaferi. Ai theksoi gjithashtu se data e koncertit është përcaktuar në një periudhë kur nuk është planifikuar asnjë ndeshje futbolli, duke përjashtuar çdo ndikim në kalendarin sportiv apo në gjendjen e fushës.
Miloti nënvizoi se Bujar Qamili është një figurë simbol e Shkodrës dhe një artist i lidhur fort me Vllazninë, jo vetëm si tifoz, por edhe përmes këngëve që ka kushtuar historikisht këtij ekipi. Ai e konsideroi koncertin një akt nderimi për artistin dhe për qytetin e Shkodrës, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Bashkisë për organizimin e aktiviteteve të mëdha kulturore në hapësira të rëndësishme publike si stadiumi “Loro Boriçi”.
Koncerti “Qejfi bahet me Shkodranë”, që do të mbahet më 21 qershor, po shihet si një moment historik për jetën artistike të qytetit, duke bashkuar muzikën dhe dashurinë për Shkodrën në një ambient që i përket të gjithëve.
