Vllaznia ka nisur me një fitore bindëse përgatitjet për sfidat europiane, duke triumfuar me rezultatin 3-0 në miqësoren e luajtur ndaj “Vllaznia Elite”, ekip shqiptar që funksionon në Milano. Takimi u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” dhe shërbeu si një test i parë për trajnerin Edi Martini dhe stafin teknik.

Dy autogola të miqve dhe një gol i Tafilit i dhanë kuqebluve suksesin në këtë test të parë ndërsa formacioni titullar përfshinte emra si Qarri, Kuro, Bajrami, Jazxhi, Gurishta, Yago, Krymi, Qato, Mala, Gruda dhe Balaj. Loja u dominua nga shkodranët, të cilët treguan ritëm, organizim dhe dëshirë për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

Përtej rezultatit, ndeshja kishte karakter vëllazëror dhe shërbeu për të testuar skemat dhe gjendjen fizike të futbollistëve. Takimi i radhës miqësor për Vllazninë pritet të jetë më 21 qershor, po në “Loro Boriçi”, ndaj ekipit të Deçiqit të Tuzit, fituesit të Kupës së Malit të Zi.