Bashkia Shkodër ka ndërmarrë një aksion të vendosur për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme përgjatë vijës bregdetare të Velipojës. Që në orët e para të mëngjesit, Policia Bashkiake ka qenë në terren për të ndaluar çdo tentativë për zaptimin e hapësirave publike, të destinuara falas për pushuesit.

Gjatë këtij operacioni janë vendosur gjoba administrative dhe janë sekuestruar çadra e shezllone të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Drejtori i Policisë Bashkiake, Saimir Rrustemi, theksoi se operacioni do të vijojë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit veror. Rrustemi shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e strukturave përkatëse dhe për mbështetjen e qytetarëve në këtë fushatë që synon garantimin e një sezoni turistik të qetë dhe të rregullt në Velipojë.

Aksioni pritet të shtrihet edhe në ditët në vijim, duke siguruar që pushuesit të gëzojnë bregdetin pa ndërhyrje abuzive.