Në zemër të natyrës dhe historisë, fshati Zogaj u kthye për dy ditë në një qendër të gjallë kulture, turizmi dhe trashëgimie shqiptare, përmes eventit “Tregime Fshati”, që u zhvillua më 13 dhe 14 qershor.
Të shumtë ishin vizitorët dhe dashamirësit e trashëgimisë kulturore që iu bashkuan këtij aktiviteti për të njohur nga afër jetën, traditat dhe mjeshtërinë e banorëve të zonës. Programi përfshiu guida lokale në rrugicat karakteristike të fshatit dhe në pikat buzë liqenit, rrëfime historike, kinema në natyrë, punëtori artizanale, si dhe degustime të gatimeve tradicionale.
Në një prononcim për mediat, Gent Fetahaj nga GIZ Albania u shpreh se ky aktivitet është pjesë e iniciativës “N’Fshat”, e cila prej vitit 2022 synon të krijojë modele të qëndrueshme të zhvillimit rural, duke fuqizuar komunitetet lokale dhe vlerat e tyre autoktone.
“Zogaj është një shembull i gjallë sesi një fshat mund të ndërthurë natyrën me trashëgiminë dhe të krijojë një përvojë të veçantë për vizitorët”, theksoi Fetahaj.
“Tregime Fshati” solli në vëmendje jo vetëm bukuritë natyrore të Zogajt, por edhe pasuritë shpirtërore dhe traditën jetësore të një komuniteti që ruan ende gjurmë autentike të mënyrës së vjetër të jetesës, duke e kthyer këtë event në një urë lidhëse mes brezave dhe një nxitje për turizmin e qëndrueshëm.
Aktiviteti u mbështet nga GIZ Albania dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe komunitetin vendas.
