Ramadan Sokoli është një nga figurat më të shquara të muzikologjisë shqiptare dhe themeluesi i etnomuzikologjisë në vendin tonë. I lindur në Shkodër, ai u shqua si muzicient, kompozitor, studiues i pasionuar dhe pedagog i përkushtuar ndaj trashëgimisë kulturore dhe muzikore shqiptare. I formuar në Konservatorin e Firences, që nga vitet ’40 ai do të kthente vëmendjen kah studimit dhe ruajtjes së folklorit muzikor shqiptar.
Pas vitit 1945, Sokoli do të vihej në shërbim të arsimit dhe shkencës shqiptare, duke ushtruar detyrën e pedagogut në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ishte ndër të parët që hodhi themelet e një fushe të re: etnomuzikologjisë shqiptare, e cila deri në atë kohë nuk ekzistonte si koncept shkencor. Bashkëkohësit dhe pasardhësit e konsiderojnë Sokolin si nismëtar të institucionalizimit të studimeve mbi muzikën popullore shqiptare.
Në vitin 1965 botoi veprën e tij madhore “Folklori muzikor shqiptar”, ku për herë të parë në literaturën shkencore shqiptare u trajtuan konceptet bazë të etnomuzikologjisë, përfshirë kapitullin e rëndësishëm mbi “Polifoninë popullore”, e cila më vonë do të bëhej objekt studimi ndërkombëtar. Kjo vepër vendosi standarde të reja dhe solli bashkëkohësi në kërkimin shkencor muzikor shqiptar.
Në vijim të jetës së tij krijuese dhe hulumtuese, Ramadan Sokoli botoi një sërë studimesh të rëndësishme, si:
• “Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais” (1958),
• “Figura të ndritura” (1965),
• “Chansons populaires albanaises” (1966),
• “Vallë e muzika te të parët tanë” (1970),
• “Figura e Skënderbeut në muzikë” (1982),
• “Gjurmime folklorike”,
• “Këngë patriotike”,
• “Veglat muzikore të popullit shqiptar”,
• “Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaja”, etj.
Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në botimet shkencore. Ai dha një kontribut të çmuar edhe si kompozitor, duke krijuar këngë të frymëzuara nga trashëgimia muzikore popullore, por edhe me një frymë të re melodike dhe strukturore. Disa nga krijimet e tij të hershme janë këngë të rinisë si “Në gjergjef tue qendisë”, “Tebdilëshe”, si dhe krijime më vonë si “Turtulleshë”, “Jelino”, “Lulja me erë”, “Nina-nana”, etj.
Ai gjithashtu kontribuoi me artikuj e studime në shtypin periodik shqiptar dhe të huaj, duke e bërë atë një figurë të njohur edhe në qarqet ndërkombëtare të muzikologjisë. Për kontributet e tij, është nderuar me titullin “Profesor” në vitin 1995 dhe “Mjeshtër i Madh” në vitin 2001 nga Presidenti i Republikës.
Pas vdekjes, ai u nderua edhe me çmimin “Medalja e Artë e Festivalit” në Severo të Italisë, një vlerësim ndërkombëtar për kontributin e tij të shquar në studimin e folklorit.
