Komuna e Brukselit ka mbyllur në mënyrë të njëanshme dhe me ndërhyrje përmbarimore hapësirën kulturore “ShqipVille – Shtëpia Kulturore Belgo-Shqiptare”, duke anashkaluar procesin gjyqësor ende në zhvillim dhe pa pritur një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Në reagimin e saj zyrtar, organizata “Maison Culturelle Belgo-Albanaise” (ASBL) shprehet se mbyllja përfshiu gjithashtu edhe akte vandalizmi ndaj hapësirës, çka përbën, sipas tyre, shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit. Ata akuzojnë komunën për mungesë transparence dhe për mosrespektim të kontratës së lidhur që prej themelimit të qendrës.

“ShqipVille”, një simbol i integrimit dhe bashkëjetesës

E krijuar si organizatë jo-fitimprurëse dhe pa asnjë mbështetje financiare nga ambasadat apo institucionet publike, ShqipVille ishte kthyer në një hapësirë të rëndësishme për promovimin e kulturës shqiptare në Bruksel, duke mirëpritur qindra mijëra vizitorë, artistë dhe aktivistë ndër vite.

“Ky veprim i dhunshëm i autoriteteve nuk ishte vetëm shuajtje e një organizate ligjore dhe të përkushtuar, por edhe një goditje ndaj vlerave demokratike e përfshirjes qytetare,” theksohet në deklaratë.

Falenderim dhe besim në drejtësi

Stafi i ShqipVille ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë qendër kulturore dhe që vijojnë të tregojnë solidaritet. “Duhet të bëjmë durim dhe të kemi besim te integriteti i gjykatës belge. Sakrifica dhe energjia e njerëzve nuk do të shkojë dëm,” përfundon mesazhi i tyre, ndërsa betejat ligjore vazhdojnë për të kërkuar drejtësi.