Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Shfrytëzimit të Fëmijëve për Punë, Bashkia Shkodër organizoi një aktivitet sensibilizues në qytet, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen shqetësues që cënon të ardhmen e fëmijëve.
Në fjalën e saj, Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Teuta Qyteza, theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së komunitetit dhe institucioneve në luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve, sidomos në formën e lypjes në rrugë.
Në qendër të aktivitetit ishin nxitja e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sensibilizimi i qytetarëve për të ndërhyrë dhe raportuar raste të abuzimit, duke kontribuar në një mjedis më të sigurt për fëmijët. Gjatë veprimtarisë u shpërndanë broshura informuese me udhëzime konkrete, si: raportimi i rasteve të shfrytëzimit, mosdhënia e parave në rrugë, mbështetja e arsimit cilësor dhe përfshirës.
Fushata shoqërohet me mesazhin domethënës: “Një fëmijë që punon, humbet të drejtën për të qenë fëmijë”, duke i kujtuar çdo anëtari të shoqërisë rolin që ka në mbrojtjen e më të vegjëlve nga abuzimi dhe varfëria.
Aktiviteti është pjesë e një fushate më të gjerë ndërgjegjësimi që do të vijojë në muajt në vijim, në bashkëpunim me shkollat, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet ligjzbatuese.
