E la pas vetes këtë postulat i ndjeri Isa Alibali në studimin e tij për këngën popullore shkodrane dhe ahengun shkodran “Te Zhabjakt të gjithë këndojnë” të dëgjuar vetë, apo të thënë nga ata që kishin qenë në dasmat e shumta të fisit në fjalë, pak rëndësi ka.

Ky pohim është i saktë dhe i vërtetë. Vetë këngëtarja e njohur Violeta Zefi në dasëm të Adem Zhabjakut, në një moment kulminant të dasmës, kur nusja e shoqëruar nga vjehrri dhe dhëndrri ulet në tryezën e vet bashkë me dasmorët, pyet babain e dhëndrit: “Pse më keni thirrë mua në dasëm, kur ju këndokeni të gjithë?…” Por edhe fjalë të tjera ndërroi me Malo Zhabjakun…

Shpërthen kënga, vallja dhe hareja. Gëzimi arrin kulmin. Këndojnë të gjithë: “Sa bukur na ka dalë nusja…” dhe këngë të tjera të ahengut që i përshtaten këtij ceremoniali. Pranë orkestrës dhe këngëtarit të dasmës janë Maloja, Myzi, Ymeri, Masari, Qemali, Nadiri, Mili, Hydi, Zeni, Moza, Xhyherja etj. etj., miq, kushrij, kuneti e dhëndurë të fisit.

Murat Zhabjaku është i pari që ndjen emocionin e dasmës. Bashkë me zanin e bukur që iu prin këngëve edhe dy – tri pika loti në faqe.

I çon në këmbë të gjithë më të rinjtë që e rrethojnë dhe e shoqërojnë në çastet e tija të bukura të dasmës. Ashtu si Hasan Preza, Tahoja dhe Myzi, në momente kulmore të dasmës tregonin edhe ata shpirtin e tyre dhe jo më pak, edhe talentin me zërin e veçantë në interpretimin e këngës popullore dhe qytetare shkodrane.

Ndërkohë dy personazhe të tjerë gazmorë të fisit, axha Isaja vet i dytë krijonin dyshen komike të vallës së këndueme “Gum sharaveli…”

Entuziazëm, gazmend. Vinte shpejt mesi i natës. Pa e kuptuar. Nuk lëvizte askush nga dasmorët nga tavolinat. As krushqit… (që sipas traditës e kishin kohën e kufizuar). Mandej Hasani, Myzi, Tahoja dhe këngëtari Isa Smajli ia fillonin shtruar jarëve të bukura shkodrane që të gjithë i ndigjonin me një kënaqësi të veçantë.

Përmenda një rast të shprehjes së këngëtares Violeta Zefi, por ka raste pa fund të konsideratave të dhëna për shumë dasma të fisit të Zhabjakut. (Cila asht shprehja që ka thënë Violeta më tej për Malon që e njihte nga afër, nuk e mbaj mend).

Së fundi, Nimet Salabegu në një festim të 70-vjetorit të Masar Zhabjakut në lokalin “Iliria” në Shkodër. Vlerësime pafund për dasma të bukura kemi marrë edhe nga këngëtaret Juliana Pasha, Olta Boka së bashku me këngëtarin Sidrit Bejleri në dasmën e vajzës së Fuat Zhabjakut në Tiranë.

Shumë dasma të një brezi më të hershëm si ajo e Xhevedet Zhabjakut në Luguçesme, Xhemal e Nazmi Zhabjakut po atje, apo në Durrës e Ahmet Zhabjakut, djalit të vetëm të Ymer Zhabjakut, por edhe në dasmat e pesë motrave të tij.

Skena të bukura dasmash, kanë ndodhur edhe në familjen e Qazim Zhabjakut kur u martuan vajzat dhe djali Ismail (Malo Zhabjaku); në martesën e Zenit të Isasë dhe të vëllait Masar, Mimozës së Musasë dhe djemve të tij Myfit dhe Mentor Zhabjaku.

Vlerësime pa fund për këto dasma i kanë bërë jo vetëm njerëz të artit si Shyqyri Alushi, Xhemal e Xhelal Zaganjori (këngëtarë), Xhemal Uruçi, muzikolog dhe instrumentisti i fizarmonikës (ndjesë paçin të gjithë!).

Kjo frymë përpiqet të ruhet edhe sot nga ne dhe brezi i katërt dhe i pestë i fisit që edhe pse të shpërndarë andej e këndej nëpër botë, kur mblidhen “kthehen në origjinë” të të parëve të tyre “ashikë” të këngës popullore qytetare shkodrane.

Duhet një studim i veçantë për këtë nyje kapitulli pasi dasmat dhe këngët e fisit janë dhe do të mbeten pafund.

Rrënjët e fisit janë të forta. Ato kanë hedhur degë të shumta që do të dinë ta ruajnë këtë traditë të bukur – këngën dhe do ta çojnë më tej.

Ne, brezi i tretë, po ia lëmë radhën më të rinjve, por me zemër jemi prapë me këngën si element i bukur i ruajtjes së traditës së fisit, harmonisë shpirtërore në gëzime dhe hidhërime familjare.

Vërtetë sot përparësi ka marrë shkollimi i plotë i fëmijëve, një element i rëndësishëm i jetës, qytetarisë e kulturës që na e kanë kultivue edhe prindërit tanë me shumë dashuri dhe zgjuarsi. Bukuria e fisit ruhet edhe tek harmonia, kënga, qytetaria dhe puna e ndershme, pasionante dhe fisnike…

Burimi: Libri “Hasan Preza, ashiku i kangës popullore qytetare shkodrane” i autorit Nadir Erkoçi (Zhabjaku)