Shkodra përjetoi një lajm të trishtë me humbjen e një tjetër artisti dhe njeriu të mirë e me shpirt të bukur: Eugen Balca. Familjarë, miq dhe kolegë i dhanë këtë të mërkurë lamtumirën e fundit teknikut të transmetimit në Radio Shkodra dhe kitaristit shkodran që e jetoi artin me gjithë qenien e tij. 

Eugen Balca u nda nga jeta në moshën 48-vjeçare. I biri i artistit të mirënjohur Lec Balca, Geni sikurse e thërrisnin të gjithë trashëgoi një talent të lindur që e bëri pjesë të mbrëmjeve muzikore që shumëkush i kujton me mall, sidomos në vitet kur muzika live ishte luks dhe jo përditshmëri.

Për vite me radhë, ai do t’i jepte jetë transmetimeve në Radio Shkodra.

Geni nuk ishte vetëm një profesionist por edhe një mik i dashur i shumë artistëve, që e çmonin për përulësinë, saktësinë dhe butësinë e karakterit.

Ndarja e parakohshme nga jeta i la jo vetëm familjarëve por edhe miqve dhe kolegëve një zbrazëti, njëjtë si pauzat e muzikës që ndihen më fort se vetë tingujt.