Në Teatrin “Migjeni” ka nisur edicioni i 24-të i konkursit ndërkombëtar për interpretues të rinj të muzikës klasike “Pjetër Gaci”. Ky aktivitet i përvitshëm, që mban emrin e kompozitorit të njohur shkodran, mbledh të rinj nga Shqipëria dhe shtete të tjera për të konkuruar në disa disiplina të muzikës së mirëfilltë klasike.

Drejtori organizativ i konkursit, Dritan Mlika dhe ai artistik Lorenc Radovani, përshëndetën nga skena publikun e pranishëm.

Konkursi do të zhvillohet nga 11 deri më 15 qershor 2025, dhe do të përfshijë specialitetet: piano, harqe, kanto, fizarmonikë, kitarë, instrumentet e drunjta dhe ato të tunxhit. Aktiviteti organizohet nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” dhe mbështetet nga Bashkia Shkodër.

Kjo veprimtari artistike synon jo vetëm të nderojë figurën e Pjetër Gacit, por edhe të inkurajojë talentet e reja të muzikës klasike përmes një gare të drejtë dhe me standarde profesionale. Në fund të edicionit do të ndahen çmime për fituesit më të spikatur në çdo kategori.