Në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” u zhvillua këtë të martë një aktivitet përkujtimor kushtuar 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Rëndësia kombëtare e Lidhjes ishte në fokusin e organizatorëve.
Në fjalën e tij, historiani Anelmo Spahija, pedagog në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, thekson angazhimin e qytetit të Shkodrës dhe kontributin e figurave të kohës në përpjekjet për liri dhe bashkim kombëtar.
Muzikologu Qamil Gjyrezi, në një prezantim të detajuar, foli për rëndësinë e muzikës si mjet ndërgjegjësimi kombëtar, duke sjellë në vëmendje figurën e Palokë Kurtit dhe marshin “Bashkimi i Shqipërisë”, si një shprehje artistike e idealeve të Lidhjes së Prizrenit.
Pjesë emocionuese e aktivitetit ishte edhe interpretimi muzikor i veprave të Palokë Kurtit, realizuar nga mjeshtri i violinës Anton Kaftalli, maestro Ilir Zoga në piano dhe Lukë Millugja në kanto, të cilët sollën për të pranishmit atmosferën artistike të kohës.
Aktiviteti i sotëm jo vetëm që rikujtoi një kapitull të lavdishëm të historisë kombëtare, por edhe theksoi domosdoshmërinë për ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerësimin e figurave që kontribuan për identitetin shqiptar.
