Me startin nga qyteti i Shkodrës, ka nisur edicioni i 21-të i Rally Albania, eventi më i madh i sporteve motorike në Shqipëri dhe një nga më të njohurit në Ballkan. Për shtatë ditë, dhjetëra pilotë nga vende të ndryshme të botës do të përshkojnë disa nga terrenet më të thyer dhe njëkohësisht më mahnitëse të vendit tonë.

Shkodra është zgjedhur këtë vit si pikënisje simbolike, jo vetëm për rëndësinë historike e kulturore, por edhe për mikpritjen që ofron. Në ceremoninë e hapjes, Nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, theksoi se ky event është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar sportin, turizmin dhe identitetin e Shkodrës:

“Shkodra është krenare të mirëpresë këtë garë që sjell turistë, emocione dhe zhvillim për qytetin tonë”, u shpreh ajo.

Rally Albania do të shtrihet përmes qyteteve, maleve dhe zonave të thella të Shqipërisë, për të përfunduar më 14 qershor në Tiranë. Sipas organizatores Julia Dhame, ky edicion shënon një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes ndërkombëtare, si dhe më shumë etapa dhe kilometra krahasuar me vitet e shkuara:

“Rally Albania është kthyer në një emblemë për aventurën dhe turizmin e guximshëm në Shqipëri”, u shpreh ajo.

Më shumë se një garë, Rally Albania është një udhëtim eksplorues, që lidh sportin ekstrem me promovimin e Shqipërisë si një destinacion për aventura dhe turizëm natyror. Për zonat ku kalon, ai sjell gjallërim ekonomik, ndërveprim kulturor dhe një vëmendje të veçantë ndërkombëtare.

Nga Shkodra në Tiranë, përmes plazheve, lumenjve dhe alpeve, Rally Albania vazhdon të ndërtojë profilin e Shqipërisë si vendi i mundësive të pakufizuara për aventurën.