Emocione të veçanta dhe një atmosferë magjike artistike mbushën skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, ku Orkestra Simfonike e qytetit u rikthye për publikun shkodran me koncertin e titulluar “From West to East”. Nën drejtimin artistik të dirigjentes Elda Laro dhe me pjesëmarrjen e sopranos së njohur Ana Naqe, ky koncert shënoi një kapitull të ri për këtë formacion muzikor të çmuar.
Ana Naqe, me zërin e saj brilant dhe interpretimin plot ndjenjë, solli një repertor të zgjedhur me vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj, duke ndërthurur muzikën klasike perëndimore dhe lindore në një udhëtim artistik unik. Salla u përfshi nga duartrokitjet dhe emocionet e forta që shpërthyen pas çdo interpretimi.
Për Elda Laron, ky ishte koncerti i parë në drejtimin e Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Ajo theksoi se synimi i saj është të sjellë në këtë skenë emra të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe të kthejë orkestrën në një pikë referimi për artin klasik në vend. “Ky është vetëm fillimi. Shkodra ka potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar art cilësor dhe do të punojmë me përkushtim për ta ngjitur gjithmonë e më lart,” u shpreh ajo.
Ky koncert jo vetëm që dëshmoi nivelin artistik të lartë të orkestrës, por gjithashtu konfirmoi se Shkodra vazhdon të mbetet një vatër e rëndësishme e kulturës dhe muzikës klasike në Shqipëri.
Orkestra Simfonike e Shkodrës, tashmë e riformatuar dhe me një vizion të qartë artistik, është gati të ngrejë sërish peshë shpirtin kulturor të qytetit dhe të vendit.
