Në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” ka startuar edicioni i 22-të i Memorialit Ndërkombëtar të Boksit “Vllaznia 2025”, një nga aktivitetet më prestigjioze në kalendarin sportiv të qytetit.
Në ditën e parë të turneut u zhvilluan duele mes boksierëve amatorë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Italia dhe Polonia. Spektakli i duarve të lira solli përballje dinamike dhe emocione për publikun shkodran, me disa prej boksierëve që spikatën me paraqitje të fuqishme.
Fitues të ndeshjeve të para u shpallën Emanuel Koço dhe Ani Haxhillari përfaqësues të Shqipërisë, Loris Idrizi nga Kosova dhe Tomislav Dinoviç nga Mali i Zi. Memoriali do të vijojë me duelet e radhës edhe në dy ditët në vijim, deri të dielën, më 8 qershor, me finalet përmbyllëse.
