Në mjediset e sallës “Kardinal Mikel Koliqi”, u mbajt ceremonia përmbyllëse e panairit të parë të librit “Libri të ban të lirë”, organizuar nga Katedralja e Shkodrës. Kjo e shtunë shënoi jo vetëm mbylljen e aktivitetit treditor, por edhe ndarjen e çmimeve më të rëndësishme për autorët dhe kontribuuesit.

Çmimi “Studiuesi më i mirë” iu dha profesor Robert Prendushit, për hulumtimin dhe analizimin e rrënjëve të muzikës shkodrane ndër shekuj, një vepër që ngjalli interes dhe vlerësim të gjerë mes lexuesve dhe studiuesve.

“Përkthyesi më i mirë”, titull që i takoi Xhelal Fejzës, u vlerësua për punën e tij të palodhur në përhapjen e letërsisë shqipe në vendet e Ballkanit, duke ndërtuar ura komunikimi përmes gjuhës dhe fjalës së shkruar.

Ndue Ukaj u shpall “Shkrimtari më i mirë”, duke u vlerësuar për krijimtarinë dhe mesazhet që përcjell nëpërmjet veprave të tij letrare.

Ndërkohë, Lekë Tasi u nderua me Çmimin e Mirënjohjes, për kontributin e tij të vyer në fushën e kulturës dhe letrave shqipe.

Panairi “Libri të ban të lirë”, i organizuar për herë të parë në Shkodër, u mirëprit nga lexues të shumtë, autorë, studiues dhe qytetarë, duke u shndërruar në një festë të vërtetë të librit dhe dijes në kryeqendrën e veriut.