Kjo e shtunë shënoi ditën e tretë dhe të fundit të panairit “Libri të ban të lirë”, i cili u zhvillua në ambientet pranë Katedrales “Shën Shtjefni”. Në një nga stendat e panairit ndodhet studiuesi dhe profesori Vinçens Marku, i cili ka sjellë për lexuesin botimin më të ri të tij me titullin “Buzuku i lehtëlexueshëm”.

Libri përfaqëson një përpjekje serioze për ta bërë më të kuptueshëm dhe të aksesueshëm për lexuesin e sotëm “Mesharin”, veprën më të vjetër të gjuhës shqipe të shkruar nga Gjon Buzuku.

Nga “Meshari”, i cili sipas të dhënave historike është përgatitur për botim midis 20 marsit 1554 dhe 5 janarit 1555, njihen shumë pak detaje. Përtej faktit që është themeli i shkruar i shqipes, mbetet ende shumë për të zbuluar rreth vetë autorit dhe kontekstit të botimit të tij.

Prof. Marku flet edhe për panairin dhe rëndësinë që ka kjo nismë për kulturën dhe librin në Shkodër si dhe mënyrën se si mund të përmirësohet në vazhdimësi.

Panairi “Libri të ban të lirë”, për tre ditë me radhë solli në Shkodër autorë, lexues dhe botues në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë për librin.