Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër mirëpriti ceremoninë madhështore të hapjes së Kampionatit të parë Botëror për efektivët e policisë (IPA). Kjo veprimtari unike sportive shënon një risi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për qytetin e Shkodrës, i shpallur si “Qyteti Europian i Sportit 2025”.

Në ceremoninë hapëse morën pjesë autoritete të larta, përfshirë Presidentin e IPA-s, Skënder Doda, dhe Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, të cilët në fjalët e tyre përshëndetëse theksuan rëndësinë e këtij eventi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes trupave policore përmes sportit dhe frymës së fair play-it.

Turneu do të zgjasë deri më 8 qershor dhe përfshin 19 ekipe meshkujsh dhe 4 ekipe femrash nga vende të ndryshme të botës, me mbi 600 pjesëmarrës. Ndeshjet do të zhvillohen në Shkodër dhe Velipojë, duke e kthyer këtë javë në një festë ndërkombëtare të sportit policor.

Ky kampionat është një tjetër dëshmi e pozicionimit të Shkodrës në hartën e organizimeve të rëndësishme sportive dhe kulturore, duke promovuar jo vetëm sportin, por edhe turizmin dhe imazhin e Shqipërisë në nivel global.