Shkodra përmbylli me sukses edicionin e 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Në natën e tretë dhe finale të festivalit u interpretuan plot 29 këngë.
Çmimi i parë në kategorinë “Junior” iu dha këngës “Fruta Perime”, interpretuar nga Kroni Pula, me muzikë, tekst dhe orkestrim nga Adrian Hila. Kjo këngë do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e ardhshëm të Junior Eurovision 2025.
Dy figura të njohura të muzikës shqiptare si Robert Radoja dhe Inva Mula, që ishin pjesë e jurisë, vlerësuan nivelin e lartë artistik dhe përkushtimin e të gjithë pjesëmarrësve.
Në kategorinë e të vegjëlve, çmimi i parë iu dha këngës “Ja çfarë bëri bubi im” kënduar nga Maria Kalaja. Një nga çmimet më të veçanta të mbrëmjes, “Kujtim Alija”, që mban emrin e një prej figurave më të dashura të festivalit, iu dorëzua skenografit Adnan Kastrati, për krijimin e një atmosfere magjike në skenën e këtij edicioni. Pas përfundimit të natës finale, organizatorët ndanë emocionet dhe reflektimet mbi punën e bërë.
Festivali përmbylli tre netë plot emocion dhe art që u përcollën drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH, duke lënë pas jo vetëm fitues, por mbi të gjitha, kujtime dhe përvoja që do të udhëheqin fëmijët drejt ëndrrave të mëdha muzikore.
