Sheshi përpara Teatrit “Migjeni” në Shkodër mirëpriti natën e dytë të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, edicioni i 63-të, një ngjarje që vazhdon të sjellë emocione të forta për fëmijët dhe publikun artdashës.

Në këtë mbrëmje konkurruan 15 këngë të reja, prej të cilave 11 në kategorinë “Junior” dhe 4 në kategorinë “Të vegjlit”, duke sjellë në skenë zëra të rinj plot talent dhe energji. Një moment i veçantë ishte ngjitja në skenë e këngëtares së njohur Myfarete Laze, e cila interpretoi përkrah mbesës së saj, duke emocionuar të pranishmit.

Publiku duartrokiti edhe performancën e artistit të talentuar shkodran Alis Kallaçi, i ftuar i kësaj nate, duke sjellë një tjetër frymë artistike në festival. Ashtu si nata e parë, edhe kjo mbrëmje u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH-së, duke i dhënë mundësi publikut të gjerë të ndjekë nga afër këtë aktivitet të rëndësishëm për fëmijët dhe artin muzikor në vend.

Festivali do të kulmojë me natën e tretë, ku do të shpallen fituesit e dy kategorive dhe do të përzgjidhet përfaqësuesi i Shqipërisë për Junior Eurovision 2025.