Në datat 5, 6 dhe 7 qershor, Katedralja e Shkodrës do të organizojë edicionin e parë të Panairit të Librit me emërtimin “Libri të ban të lirë”, një nismë që vjen si dëshmi e gjallë e përkushtimit të qytetit ndaj kulturës dhe letërsisë. Detajet e organizimit u ndanë në konferencën për mediat që u zhvillua në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës”.

Me pjesëmarrjen e Shtëpive kryesore Botuese nga Shqipëria dhe Kosova përfshirë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ky panair synon të kthehet në një pikëtakim vlerash letrare ku libri shfaqet si urë komunikimi mes lexuesit dhe autorit.

Programi treditor i panairit “Libri të ban të lirë” përfshin promovime librash, takime me autorë, leksione të hapura dhe lexime artistike nga emra të njohur të letërsisë shqipe, pjesëmarrje të botuesve të rëndësishëm, koncerte si dhe netë letrare në amfiteatrin e hapur pranë Katedrales “Shën Shtjefni” të Shkodrës.