Në Galerinë e Arteve të Shkodrës u ekspozuan punimet artistike të edicionit të dytë të “Shkodra Art Residency ’25”, një nismë që synon të kthejë Shkodrën në një qendër bashkëkohore të dialogut artistik ndërkombëtar.
Nën moton “Aty ku arti kthehet në identitet”, kjo ekspozitë prezantoi vepra të realizuara gjatë një jave qëndrimi në qytet nga 20 artistë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
“Vij nga Polonia dhe jam këtu për të prezantuar punën dhe pasionin tim. Në pikturën time preferoj të pasqyroj dinamikën që krijon lëvizja përmes vallëzimit që reflektohet tek hijeshia dhe bukuria femërore. Jam frymëzuar nga bukuria e Shkodrës dhe legjenda e Rozafës,” u shpreh artistja nga Polonia, Jola Kitowska.
Organizatori Azem Kuçana dhe kuratori Saimir Ahmeti theksuan se qëllimi është të krijohet një hapësirë e përhershme e shkëmbimit kulturor ku arti shërben si urë komunikimi mes kombeve.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët në Galerinë e Arteve për një javë dhe pritet të tërheqë interesin e artdashësve vendas dhe të huaj.
