Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë ka startuar edicionin e 63-të me një mbrëmje plot emocione dhe energji në sheshin para Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Nata e parë e këtij festivali u transmetua drejtpërdrejtë për shikuesit në rrjetin e RTSH-së.

Në këtë mbrëmje u interpretuan 14 këngë të reja: 9 në kategorinë “Junior” dhe 5 në kategorinë “Të vegjlit”, duke sjellë në skenë zërat e brezit të ri të muzikës shqiptare. Redaktori i muzikës Bardhyl Hysa, si dhe moderatorët Edona Reshitaj dhe Erdit Asllanaj vlerësojnë nivelin artistik dhe atmosferën entuziaste të kësaj mbrëmjeje festive në Shkodër.

Një moment i veçantë ishte ngjitja në skenë e këngëtares së re Nikol Çabeli, fituese e edicionit të 61-të të këtij festivali dhe përfaqësuese së fundmi e Shqipërisë në Junior Eurovision. E rikthyer në qytetin ku nisi suksesi i saj, Nikol u shfaq e emocionuar dhe falënderuese për mikpritjen e ngrohtë. Edicioni i 63-të i Festivalit do të vijojë me natën e dytë, ku do të prezantohen edhe 15 këngë të tjera në garë.