Në mbrëmjen e së enjtes, sheshi para Teatrit “Migjeni” në Shkodër u mbush me tinguj muzike, ngjyra dhe gëzim fëmijësh, teksa u zhvilluan provat gjenerale të Festivalit të 63-të të Këngës për Fëmijë. Kori i fëmijëve të festivalit solli një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, duke sjellë në skenë energjinë e pastër dhe të gëzueshme që vetëm zëri i tyre mund të dhurojë.

Vetëm pak orë para nisjes së festivalit që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH, provat finalizuese vijuan në sheshin para Teatrit “Migjeni”. Artistët e vegjël, të mbështetur nga prindërit dhe stafi organizator kanë vijuar përgatitjet e nevojshme.

Festivali i Këngës për Fëmijë në Shkodër është një traditë që vazhdon të përcjellë vlera muzikore dhe emocione të bukura brez pas brezi. Edhe këtë vit, ai vjen si një ngjarje që i jep jetë qytetit dhe përforcon rolin e artit në rritjen dhe edukimin e fëmijëve.