Shkodra është kthyer në “kryeqytetin” e adrenalinës këtë fundjavë, ku për tre netë me radhë u mbajt “Moto Fest Shkodra 2025”. Mbi 200 motoristë nga Shqipëria, rajoni dhe Europa u bënë pjesë e këtij eventi unik, duke sjellë tingujt e motorëve në rrugët e qytetit, të ndjekur nga një paradë impresionuese që ndezi sytë dhe zemrat e qytetarëve.
Pas xhiros në qytet, pjesëmarrësit u mblodhën në një festë madhështore në sheshin para Bashkisë, ku muzika live dhe energjia e publikut krijuan një atmosferë të paharrueshme. Kjo festë kulmoi me një koncert spektakolar të grupit legjendar “Elita 5”, që ndezi skenën dhe emocionet e publikut shkodran, të cilët kënduan dhe festuan deri vonë në natë.
“Moto Fest Shkodra 2025” u realizua me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, duke u kthyer tashmë në një traditë që i jep qytetit jetë, stil dhe një frymë bashkimi përmes pasionit për motorët dhe muzikën.
