Bota e artit shqiptar ka humbur një nga figurat më të rëndësishme të saj. Regjisori i njohur Pirro Milkani ka ndërruar jetë sot në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në kinematografinë shqiptare.

Lajmi u bë i ditur nga djali i tij, regjisori Eno Milkani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruante: “Iku babai, shoku dhe kolegu im.”

I lindur më 5 janar 1939 në Korçë, Milkani studioi në Akademinë e Arteve në Pragë, një nga shkollat më prestigjioze të kinemasë në Evropën Lindore. Pas kthimit në Shqipëri, ai u bë një nga pionierët e kinematografisë shqiptare dhe bashkëthemelues i Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Gjatë karrierës së tij, Milkani realizoi dhe kontribuoi në mbi 30 filma artistikë dhe dokumentarë. Ndër veprat më të njohura të tij janë filmat: “Njeriu me top”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Unë e dua Erën” dhe “Historiani dhe kameleoni”. Ai njihej për stilin e tij realist, përmes të cilit shpaloste temat sociale, patriotike dhe njerëzore me një gjuhë filmike të veçantë.

Përveç kontributit si regjisor, Milkani ka qenë edhe pedagog dhe drejtues në institucione kulturore, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë. Ai ka mbajtur edhe poste diplomatike, si atashe kulture në Gjermani.

Vdekja e tij përbën një humbje të madhe për artin dhe kulturën shqiptare. Trashëgimia e tij do të jetojë përmes filmave që vazhdojnë të frymëzojnë dhe edukojnë edhe sot.