Shkodra dhe Malësia e Madhe do të përfshihen në një plan të ri zhvillimi që synon shndërrimin e gjithë vijës së liqenit të Shkodrës në një destinacion të rëndësishëm turistik në rajon. Projekti po zbatohet në kuadër të programit “Porta e Alpeve”, i financuar nga Banka Europiane e Investimeve, në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Në fokus të këtij projekti është ndërtimi i një rruge biçikletash që do të shtrihet nga Malësia e Madhe deri në qytetin e Shkodrës dhe më tej përgjatë lumit Buna deri në Detin Adriatik, duke përfshirë ndalesa turistike, pika informacioni dhe infrastrukturë mbështetëse për vizitorët.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka, deklaroi se pritshmëritë janë për të krijuar produktin më të mirë turistik në Ballkan, duke lidhur natyrën, kulturën dhe aktivitetin fizik në një itinerar të vetëm.
“Është një mundësi e artë për të kthyer liqenin e Shkodrës në një pikë kyçe të turizmit në rajon,” – tha Beka gjatë një punëtorie me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.
Aktualisht, është rënë dakord për hartimin e një studimi fizibiliteti dhe projekt-ideje, që do të mbështesë Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Malësi e Madhe në realizimin e këtij vizioni. Gjatë punëtorisë do të diskutohen gjurma përfundimtare e rrugës, karakteristikat teknike si dhe ndërhyrjet e propozuara përgjatë itinerarit.
Ky projekt pritet të hapë perspektiva të reja për turizmin e qëndrueshëm në veri të Shqipërisë dhe të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale.
