Java e Evropës 2025 shënon edhe nisjen zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare në Shqipëri, një festë artistike që përfshin gjithë vendin me aktivitete të larmishme kulturore. Shkodra, si një prej pikave kryesore të këtij edicioni, ofron një program të pasur që ndërthur muzikën, teatrin dhe identitetin evropian.

Aktivitetet do të nisin më 24 maj, në Kinema “Republika”, me koncertin “Rrethi i Tingujve” nga kompozitori Mardit Lleshi, një bashkëdyzim modern mes trashëgimisë evropiane dhe shqiptare.

Më 25 maj, qyteti do të jetë skenë e dy shfaqjeve artistike: Në Holin e Radio Shkodrës, pjesa teatrore “Kanga Eme” sjell një rrëfim të thellë mbi identitetin dhe rezistencën përmes muzikës dhe narrativës bashkëkohore. 

Ndërkohë, në Muzeun Historik të Shkodrës, shfaqja “Gjuha Mëmë” me aktoret Ema Andrea, Aida Talliente dhe Elvira Buoncuore eksploron gjuhën si mjet i komunikimit ndërkulturor dhe përkatësisë. Programi kulmon më 27 maj në Teatrin “Migjeni”, ku Rona Nishliu dhe Gent Rushi sjellin një koncert me performanca muzikore eksperimentale që bashkon intimen me universalen. 

Mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, Javët Kulturore janë më shumë se thjesht një seri aktivitetesh pasi ato kthehen në një platformë për dialog dhe bashkëjetesë të kulturave.