Në kuadër të Ditëve të Kujtesës për viktimat e komunizmit, në ambientet e Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër, u çel ekspozita “Rrugëtime të papritura të jetës”, një homazh vizual dhe emocional për ata që vuajtën gjatë regjimit të errët monist në vendin tonë.
Ekspozita sjell për publikun 40 portrete të ish-të burgosurve dhe ish-të përndjekurve politikë, të realizuara nga fotografi koreano-gjerman Dong-Ha Choe.
“Ditët e Kujtesës kanë rëndësinë e tyre sa i përket përfshirjes në to. Shqipëria nuk duhet t’i harrojë asnjëherë personat që kanë patur vlera për shoqërinë dhe për to janë ndëshkuar gjatë regjimit. Edhe në Gjermani janë të rëndësishme këto aktivitete memoriale që lidhen me të shkuarën. Duke ditur që Shqipëria ka patur një nga regjimet më të egra në të gjithë Evropën lindore, është përgjegjësi e juaja për të mos harruar ata që vuajtën në atë sistem,” shprehet fotografi Dong-Ha Choe.
Krahas portreteve, vizitorët patën mundësinë të njiheshin edhe me historitë personale të secilit prej tyre, rrëfime që pasqyrojnë dhimbjen, rezistencën dhe dinjitetin përballë një sistemi shtypës. Ky projekt u organizua nga Instituti për Demokraci, Media & Kulturë me kuratore të ekspozitës Jonila Godole.
Ekspozita fotografike vjen si një thirrje për kujtesën kolektive dhe reflektim mbi të shkuarën komuniste të vendit. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun për disa ditë në vijim.
