Biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër mori pamjen e një galerie arti, me një ndërthurje emocionesh dhe ngjyrash, falë ekspozitës së parë personale të piktores Sidita Islami, e titulluar “Emocion Jete”.

Artistja shkodrane prezantoi 42 punime, ku spikatën portretet ekspresive duke i dhënë vizitorëve mundësinë të gjejnë veten në secilën prej tyre. Një pjesë e pikturave janë realizuar 20 vite më parë, por ato ruajnë ende gjallërinë dhe ndjesinë e thellë shpirtërore që karakterizon stilin e autores.

Kuratorja e ekspozitës, pedagogia e pikturës Erëmirë Jahja, vlerësoi aftësinë e Islamit për të sjellë emocione të sinqerta përmes punimeve të saj.

Ekspozita në “Marin Barleti”, krijoi për vizitorët shkodranë një përvojë të pasur me ndjesi dhe reflektime.