Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua këtë të hënë edicioni i radhës i Panairit të Punës dhe Karrierës, një ngjarje tashmë tradicionale që prej 17 vitesh organizohet nga Fakulteti Ekonomik, por që për herë të parë këtë vit përfshiu të gjithë fakultetet e universitetit.

Panairi mblodhi në ambientet e Fakultetit Ekonomik mbi 50 biznese, institucione publike dhe jopublike, të cilat prezantuan mundësitë e punësimit dhe bashkëpunimit për të rinjtë. Rreth 250 studentë u regjistruan si pjesëmarrës në këtë aktivitet që synon të lidhë dijen me tregun e punës.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor dhe institucioneve rajonale, të cilët vlerësuan këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së punësimit rinor. Pas fjalimeve përshëndetëse, aktiviteti vijoi me prezantime në stenda, intervista dhe rrjetëzim mes studentëve dhe përfaqësuesve të bizneseve.