Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në ambientet e Muzeut “Marubi” në Shkodër, u prezantua “Harta e ilustrueme e arkitekturës së Kolë Idromenos”, një nismë që sjell në vëmendje trashëgiminë arkitekturore të një prej figurave më të shquara të artit shqiptar.
Një rrugëtim artistik dhe urban, ku të rinj të apasionuar pas artit dhe trashëgimisë kulturore kanë realizuar më herët ilustrime të disa prej godinave të projektuara nga Kolë Idromeno, nisur nga një hulumtim i arkitektëve Sabrina Kuçi dhe Fatjon Mlloja. Projekti përshkon një itinerar simbolik që nis nga Liqeni i Shkodrës dhe përfundon në lagjet historike të qytetit.
Ky program i hartuar nga Tea Çuni, përgjegjëse e sektorit të komunikimit dhe promovimit pranë muzeut sjell një pamje të re të trashëgimisë së Idromenos. Aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke përforcuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“Harta e Ilustrueme” mbetet një dëshmi që bashkon artin, historinë dhe qytetin në një dialog të hapur për të kaluarën dhe të ardhmen e Shkodrës.
