Në një natë të mbushur me emocione dhe spektakël muzikor, Shqipëria siguroi kalimin në finalen e madhe të Eurovisionit, që po zhvillohet këtë vit në qytetin e Bazelit në Zvicër. Grupi “Shkodra Elektronike”, me një performancë që kombinoi ritmet moderne me elementë të trashëgimisë kulturore shqiptare, arriti të fitojë zemrat e publikut europian.

Kënga shqiptare u dallua për origjinalitetin, fuqinë vokale dhe skenografinë e kuruar deri në detaje, duke u renditur mes 10 vendeve më të votuara në gjysmëfinalen e parë. Tashmë “Shkodra Elektronike” do të ngjitet sërish në skenën e Eurovisionit, të shtunën mbrëma, ku Shqipëria do të interpretojë e 26-ta në radhë.

Performanca vizuale ishte një tjetër aset i rëndësishëm i këtij suksesi. Një koreografi dinamike, me simbole dhe lëvizje të sinkronizuara. Finalja e madhe e Eurovisionit pritet me interes të lartë edhe në Shqipëri, ku mbështetja për “Shkodra Elektronike” është kthyer në një entuziazëm mbarëkombëtar.