Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi ligjëratën akademike me temë: “Metodologjitë e kërkimit në një temë doktorature në shkencat humane në vitin 2025”. Ligjërata u mbajt nga profesori i njohur i shkencave politike në Universitetin e Lirë të Brukselit (ULB), Jean-Michel De Waele.
Takimi, i zhvilluar në Sallën e Konferencave pranë Bibliotekës së Universitetit, kishte në fokus doktorantët e Universitetit të Shkodrës, të cilët ndoqën me interes diskutimet mbi qasjet më të avancuara metodologjike në studimet shkencore.
Për pedagogen Paulina Guli Hoti, kjo ligjëratë vjen në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të Universitetit dhe synon të rrisë bashkëpunimin me universitete partnere europiane.
Nga ana e tij, profesori Jean-Michel De Waele u ndal tek rëndësia e kërkimit të qëndrueshëm, ndërdisiplinor dhe i përqendruar te sfidat aktuale të shoqërisë.
“Dy elementë të rëndësishëm në universitetin tonë janë kërkimi shkencor dhe mësimdhënia. I pari merr një vlerë shumë të madhe në kohët e sotme sepse furnizon mësimdhënien. Një mësimdhënie e mirë është e tillë vetëm nëse mbështetet në kërkimin shkencor ndërsa ky i fundit është i mirë nëse vihet në shërbim të mësimdhënies. Temat e kërkimit shkencor i përcaktojmë për t’i shërbyer komunitetit pasi misioni ynë mbetet jo thjesht edukues,” u shpreh profesori belg, Jean-Michel De Waele.
Ky takim shënon një tjetër hap drejt forcimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe integrimit të universitetit në rrjetet ndërkombëtare të kërkimit shkencor.
